Gjelosh Krasniqi, i dyshuar për vrasjen e Briken Sanajt, në tetor të vitit të shkuar në Tiranë, është arrestuar në Pejë. Ai është vendosur në masën “arrest me burg” për 48 orë. Prokuroria do kërkojë arrest me burg për 30 ditë, siç e parashikon Kodi Penal në Kosovë, dhe do të kryhen procedurat me ministrine e Drejtësisë në Tiranë për ekstradimin e tij.
Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentatin e 30 tetorit. Vepruan me saktësi dhe duket se nuk kanë lënë gjurmë në duart e policisë. Dy atentatorët u futën në rezidencë pasi çanë rrethimin e jashtëm, e qëlluan nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri.
Të ndihmuar nga një person i tretë, u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”, të cilën e dogjën. Personi i katërt ka pasur rol vëzhgues. Mënyra se si është ruajtur derisa të mbërrinte brenda rezidencës “Kodra e Diellit” dhe hyrja e autorëve nga rrethimi i pasmë i bind hetuesit se ishin vrasës profesionistë dhe me pagesë.