25 gëzhoja kallashnikovi gjeti policia në vendin ku mbrëmjen e së shtunës u ekzekutua Entjan Nikulaj. 40-vjeçari ra pre e një prite, në dukje të përgatitur mirë nga autorët.
Ishte ora 21:30 kur në aksin Lezhë – Shkodër në vendin e quajtur “Ura e trenit” automjeti me të cilin po udhëtonte Entjen Nikualaj u godit nga breshëri kallashnikovi. Burime nga grupi hetimor thanë se 40-vjeçari që udhëtonte i vetëm në makinë ka marrë plagë të rënda në trup duke bërë që të ndërrojë jetë kap pasi u dërgua në Spitalin e Lezhës.
Autorët që besohet se kanë qenë 3 persona u larguan me nje automjet tip BMW ngjyrë gri, me targa të vjedhura në 29 Nëntor në Tiranë, në zonën e Kombinatit. Pak pas vrasjes, automjeti i autorëve u gjet duke u djegur në zonën e Rinasit, rruges për në fshatin Larushk.
Brenda mjetit ishin edhe dy armë zjarri, njëra prej të cilave automatik kallashnikov.
Policia ka shoqëruar disa persona për t’i pyetur në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka të ndaluar.
Pista kryesore ku po hetohet është hakmarrja. Viktima Entjan Nikulajt është djali i xhaxhit të Ardjan Nikulajt, i cili u vra më 19 Prill në lokalin e tij në Shëngjin.
Për këtë vrasje është akuzuar nga polica si urdhërues Edmond Haxhia, ndërsa për kryerjen e krimit dyshohen një shtetas portugez i ndihmuar nga disa britanikë.