Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Ai e ka cilësuar këtë ngjarje si “vrasje mizore” dhe autorin e ngjarjes e ka quatur “vrasës mizor”.
Kurti ka shkruar se më e rëndë është se kjo ngjarje ka nodhur në një klinikë gjinekologjike ku lindin gratë, duke u shprehur se u shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër.
Ai tha: “Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë”.
Postimi i plotë i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit:
“Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”.