Ende nuk ka të arrestuar për vdekjen e kenianes Joy Ayoko. Hetuesit dyshojnë se e reja që punonte si krupiere në një kazino në Tiranë, i ka dhënë informacion për mënyrën se si të luante në kazino një lojtari, i cili kishte fituar shuma të mëdha parash. Kjo është pista e re e ngritur së fundmi.
Lojtari fitues është identifikuar nga policia dhe pritet te merret në pyetje. Dëshmia e tij mund të ndihmojë hetuesit për zbardhjen e ngjarjes. Ka dyshime të forta që manovrat e kenianes dhe lojtarit të jenë zbuluar nga stafi i kazinose dhe kjo gjë të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.
Dy celularët e Joy mbeten të pahapur, njëri iPhone që nuk është hapur asnjëherë dhe një tjetër që në fillim dyshohet se ka qenë i hapur, por në rrethana të pa qarta i është ndërruar kodi hyrës. Të dy vijojnë të jenë në laborator dhe nuk janë përftuar biseda që mund të ndihmonin të zbardhnin ngjarjen.
6 personat që u shoqëruan pak ditë më parë nga policia e Tiranës si të dyshuar që kanë dijeni për vrasjen e të resë nga Kenia, Joy Ayoko janë lënë të lirë. Mes personave të shoqëruar ishte edhe shoferi i kazinos, Rodin Barçi, me të cilin e reja ka pasur edhe një marrëdhënie intime, si edhe vëllai i këtij të fundit.