Gazeta “Panorama” sjell dëshmitë ekskluzive të personave që rrëfyen të vërtetën për vrasjen e Indrit Çelajt, teknikut të kondicionereve në vilën e Bujar Kusit, pronarit dhe babait të vellezerve të shpallur në kerkim si autoret e krimit.
Ferdinad Bakalli 41 vjeç, i arrestuar per “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” ka treguar se ai ishte personi që e gjeti në gjendje të rendë Indritin brenda viles, ndërkohe që sipas tij, një person që i ishte prezantuar si vellai i kishte thënë që ka rënë nga skela.
“Jam afruar, dhe njëri prej tyre që ishte duke ulëritur me zë të lartë më tha se ishte vëllai i personit të dëmtuar. Unë e kam pyetur se çfarë kishte ndodhur dhe ai më është përgjigjur se ka rënë nga skela”-thuhet ne deshmine e tij.
FERDINAND BAKALLI
I është marrë deklarim shtetasit Ferdinand Bakalli, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Më 22 gusht, rreth orës 11:19, sapo kam dalë nga një lokal, pasi isha duke pirë kafe së bashku me pronarin e lokalit, shtetasin Edmond Bakiasi dhe kur kam mbërritur afër një objekti që ishte duke u rikonstruktuar (ishte një ambient lokal me xhama), kam dëgjuar disa zhurma, ulërima. Menjëherë pas këtij momenti, jam afruar te ky objekt dhe aty kam takuar një person, i cili ishte duke ulëritur me zë të lartë. Pasi e kam pyetur se çfarë kishte ndodhur, ky person më është prezantuar se ishte vëllai i një personi që ishte i plagosur. Kam hyrë brenda objektit ku kam vënë re një person që ishte në gjendje të rëndë për jetën dhe ishte i shtrirë në dysheme. Në momentin kur e kam parë unë, ai ishte i shtrirë përmbys dhe në pjesën e kokës po i rridhte gjak. Ky person i dëmtuar ishte i vetëm dhe pranë tij nuk kam parë asnjë person tjetër që t’i jepte ndihmë apo të ishte prezent. Menjëherë pas kësaj situate kam dalë jashtë ambientit dhe rreth orës 11:19, kam marrë ambulancën në telefon në numrin 127, duke i kërkuar që të vinte urgjent pasi një person ka rënë nga skela gjatë punës dhe njëkohësisht kam dalë në rrugë që të orientoja ambulancën për ta dërguar këtë person të plagosur në spital. Pas rreth 5 minutash ka mbërritur ambulanca dhe së bashku me stafin mjekësor, që ishin 3 punonjës, kemi marrë personin e plagosur dhe e kemi futur ne ambulancë ku e kanë dërguar në spital. Unë këtë ngjarje e kam dëgjuar vetëm gjatë kohës kur kam qenë duke kaluar nga lokali drejt rrugës ‘Myslym Shyri’. Gjatë kësaj kohe, para një lokali që ishte duke u rikonstruktuar, kam parë disa persona, por që nuk kam njohur asnjërin prej tyre. Jam afruar, dhe njëri prej tyre që ishte duke ulëritur me zë të lartë më tha se ishte vëllai i personit të dëmtuar. Unë e kam pyetur se çfarë kishte ndodhur dhe ai më është përgjigjur se ka rënë nga skela. Dua të sqaroj se personi që unë kontaktova ishte shumë i trembur, i stresuar dhe fliste përçart. Nuk kam dijeni të ndonjë konflikti”./Panorama/