Marjeta Karaj, mohon të ketë lidhje me vrasjen e 61-vjeçarit në 2017, ka thënë se njihej me Kurt-Dedën, por për shkak të konflikteve marrëdhënia e tyre ishte shkëputur. I arrestuari tjetër, Gazmir Ngota, ka treguar të gjithë kronologjinë se si ka ndodhur ngjarja.
Ai ka shpjeguar se ishte vënë në dijeni për borxhin që Kurt-Deda i kishte Marjetës, nënës së shokut të tij, Besmir Karaj. Më tej, Ngota ka rrëfyer se ishte prezent që nga momenti kur Kurt-Dedën e kanë marrë me makinë në zonën e Xhamllikut, e kanë çuar në Allias, në një parking pranë shtëpisë së Besmirit dhe aty prezent shkoi edhe Marjeta.
Pasi i kanë kërkuar kthimin e borxhit, Kurt-Deda fillimisht ka mohuar kthimin e shumës prej 1 milionë lekësh të reja, por pasi është rrahur nga Besmiri, u ka kërkuar kohë për të kthyer borxhin. Sipas Ngotës, me porosi të Marjetës, e kanë marrë Kurt-Dedën dhe e kanë çuar në Dajt, ku e kanë lidhur dhe djegur. Sipas tij, për këtë veprim nuk ka marrë para nga shoku i tij Besmir Karaj, por ka shpjeguar se e ka bërë për shoqëri.