Dan Hutra, autor i vrasjes së tre grave para maskrës ka qenë në burg dhe është liruar, edhe pse ishte vrasës dhe i denoncuar për dhunë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet për lirimin nga burgu dhe sipas verifikimeve, ILD-ja thotë se vendimmarrja e gjyqtarit është në përputhje me ligjin, ndërsa bëhet e ditur se Hutra kishte përmbushur periudhën e dënimin, ndaj edhe ka dalë nga qelia më herët.
Deklarata e plotë
Nga verifikimet e kryera mbi informacionet mediatike për lirimin nga burgu të shtetasit Dan Hutra, rezulton se lirimi është rrjedhojë e një procesi gjyqësor me objekt “Kërkesë për shuarje mase sigurimi”, dhe vendimmarrja e gjyqtarit G.H. ka qenë në përputhje me ligjin, pasi i dënuari kishte përmbushur periudhën e dënimit me qëndrimin në paraburgim.
Nga verifikimet e kryera mbi informacionet mediatike lidhur me gjykimin e shkurtuar për shtetasin Dan Hutra, për veprën penale “Dhunë në familje”, rezulton se gjyqtari G. H. në ushtrim të kompetencave të tij për çmuarjen e vlefshmërisë së një akti procedural, sipas rregullimit përkatës në Kodin e Procedurës Penale, ka përfshirë edhe qëndrimin e të pandehurit për njohje të kërkesës së prokurorit R.K., duke pranuar gjykimin e shkurtuar, si gjykim në gjendjen e akteve të ndodhura në fashikullin e prokurorit me zgjedhjen e të cilit, i pandehuri heq dorë nga debati për provat, kërkesat për pavlefshmëri, duke pranuar që të gjykohet mbi bazën e të dhënave të marra në fazën e hetimeve paraprake, e përfituar për rrjedhojë ulje në masën 1/3 të dënimit, nëse dënohet.
Nga verifikimet e kryera mbi informacionet mediatike për masën e dënimit të Dan Hutrës me 1 vit e 6 muaj burg, rezulton se kërkesa e prokurorit dhe vendimmarrja e gjyqtarit janë konform diskrecionit ligjor të magjistratit, në përcaktimin e masës së dënimit, bazuar në faktet e përcjella, përfshi dënimin e mëparshëm të të pandehurit për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe marzhin e sanksionit, që legjislatori ka përcaktuar për veprën penale “Dhunë në familje” (Neni 130/a/1 i Kodit Penal), vendimmarrje e konfirmuar edhe në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Në lidhje me mosadministrimin e dëshmisë së penalitetit, referuar analizës për individualizimin e dënimit, në kushtet kur në kuadër të rrethanës rënduese sipas nenit 50/1/ç të Kodit Penal, është marrë në konsideratë dënimi i mëparshëm i të pandehurit lidhur me vrasjen e bashkëshortes së tij, çmohet se mungesa e konstatuar e administrimit të dëshmisë së penalitetit nuk mund të vlerësohet si mospërmbushje e funksionit gjatë gjykimit, në kuadër të shkeljes disiplinore sipas përcaktimeve të nenit 101 dhe neni 102, pika 1 shkronja “ç” e ligjit me nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në këto kushte, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në mbështetje të nenit 120 dhe 121, pika 2, shkronja “a” e ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenit 204, pika 1, shkronja “j” dhe nenit 2014 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, ka vendosur arkivimin pas verifikimit kryesisht të informacionit të bërë publik në media në lidhje me procedurat ligjore të ndjekura gjatë hetimit, gjykimit apo fazës së ekzekutimit të çështjeve penale të regjistruara në emër të shtetasit Dan Hutra.
