Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, la në fuqi masën e sigurisë ”arrest me burg” për Esmerald Ballën, të riun që u arrestua për vrasjen e babait të tij më 13 gusht të këtij viti, Enver Balla.
Masa ishte vendosur nga Shkalla e Parë Durrës, kurse 30-vjeçari u zbulua dhe arrestua më 4 Shtator, pas hetimeve të thelluara për humbjen e 62-vjeçarit. E njëjta masë edhe për shokun e tij, Edison Brahaj, që akuzohet për moskallëzim krimi. Kërkesa për ndryshim mase ishte bërë nga ky i fundit nëpërmjet avokatit. Balla e kreu krimin me armën e zjarrit pistoletë, pas një sherri në familje për zhdukjen e 70 mijë eurove nga kasaforta e viktimës.
Gjatë konfliktit fizik, i dyshuari tha se shkrepi armën në vetëmbrojtje, pasi 62-vjeçari po përpiqej ta vriste teks shkonin me makinë te stani i tyre dhe dëshmitar ishte edhe Brahaj. Pas denoncimit për zhdukje, hetimet dhe përgjimet zbuluan të vërtetën, teksa krimi u pranua nga dy të rinjtë me rolet respektive dhe çështja është në proces nga Prokuroria.