Ilirian Zeqaj, shqiptar i dyshuar për vrasje të dyfishtë, përballet me ekstradimin nga Britania për herë të dytë pasi hyri fshehurazi në vend, madje mori nënshtetësinë me një emër të rremë.
50-vjeçari akuzohet se qëlloi për vdekje dy burra në fshatin Cakran në vitin 1999, por u largua në Angli me kamion pesë muaj më vonë dhe kërkoi azil me emrin Klemend Zeqaj. Daily Mail raporton se shqiptari kishte gënjyer zyrtarët britanikë duke iu thënë se ishte një refugjat kosovar.
Ai u dënua në mungesë për dy akuza për vrasje në vitin 2002 dhe u dënua me 23 vite burg, por Zeqaj, i cili ka tre fëmijë, u gjurmua nga policia britanike në vitin 2011 dhe u ekstradua në Shqipëri dy vjet më vonë për t’u përballur me një rigjykim, i cili e liroi atë nga akuzat për vrasjet.
Pas lirimit të Zeqaj, Gjykata e Lartë e Shqipërisë më vonë zbuloi se gjyqi ishte i korruptuar dhe vendimet e pafajësisë nuk ishin të sigurta.
Që nga shpërngulja në Britani, Zeqaj, i cili jeton në Hanëell, në veri-perëndim të Londrës, ka drejtuar një kompani për pajisje tualetesh.
Babai i tre fëmijëve mund të ekstradohet sërish në vendlindje për t’u përballur me një tjetër gjyq për vrasjen e Gramoz dhe Shkëlqim Llanajt.