Habib Rexha që vrau hasmin në Kavajë dhe shoku i tij, Ervis Kurti, do të dalin nesër para gjykatës së Durrësit për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë. Seanca e parashikuar të mbahej sot në orën 10:00, por është shtyrë për mungesë sallash gjyqësore. Gjyqtari i çështjes, Olti Skrame ka vendosur paraprakisht që seanca të bëhet me dyer të mbyllura.
Ekzekutori i Arjan Gosës, 31-vjeçari u dorëzua në polici pasditen e së mërkurës, pas negociatave të gjata mes tij, familjes dhe policisë. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Rexha ka deklaruar se vrasjen e Gosës nuk e kishte planifikuar, por e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër.
“Veprova nga gjaknxehtësia. E qëllova dhe pastaj u largova në drejtim të Durrësit për të shkuar në Kukës”, ka deklaruar ai në polici. Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babanë e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. Babë e bir ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin të shkujdesur një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.
Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të. Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri-tjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen, e cila nuk vonoi.