Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka vendosur të ekstradojë Elton Sefën, i cili do të jetë i pari që pas marrëveshjes dy-palëshe të ekstradimeve me Britaninë e Madhe, të nënshkruar 2 vite më parë.
Por avokati i tij ka kërkuar të mos ekstradohet pasi 23-vjeçari vuan nga probleme psikike. Që kur është kthyer nga Anglia, ka thënë Arsen Çaushaj, ai është shtruar në spitalin psikiatrik. Avokati kërkoi një ekspert mjeko-ligjor për ekzaminimin psikiatrik të të riut.
Vetë familjarët e Elton Sefës kanë thënë se do të vijojnë betejën ligjore në apel që djali i tyre të mos arrestohet.
Lexo edhe: Vrau anglezin dhe e hodhi nga çatia, merret vendimi për 23-vjeçarin shqiptar
NGJARJA
Elton Sefa akuzohet për vrasjen e 47-vjeçarit britanik John Woodward. Krimi ka ndodhur në Prill të vitit të kaluar në Londër. Sefa e goditi disa herë me sende të forta në kokë britanikun, i cili po punonte për riparimin e çatisë së një ndërtese në zonën qendrore të kryeqytetit britanik. Siç shkruajnë mediat britanike, krimi kishte ndodhur pas një zënke për motive të dobëta.
Hetuesit britanikë menduan fillimisht se 47-vjeçari kishte humbur jetën pasi kishte rënë nga lartësia. Por ekzaminimet në trupin e tij shfaqen shenja të goditjeve me sende të forta në kokë. Testet e ADN-së çuan në zbulimin si autor të ngjarjes të 23-vjeçarit shqiptar, i cili tashmë është në pritje të ekstradimit në Britani me kërkesë të autoriteteve vendase.