Një student italian në Universitetin e Kolumbisë, Davide Giri, 30 vjeç, u godit me thikë për vdekje jo shumë larg kampusit universitar në Nju Jork.
Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten mbrëma në Rrugën 123 dhe Amsterdam Avenue, pranë Morningside Park. Vrasësi u ndalua nga policia në Central Park, dhe sipas të dhënave ai është një 25-vjeçar. Menjëherë pasi sulmoi Girin, djali goditi me thikë edhe një tjetër 27-vjeçar italian, Roberto Malastina, raporton tgcom.
Giri ishte duke ecur disa blloqe larg kampusit pak para orës 23:00 kur u godit me thikë në bark, shkruan noa.al. Ai u shpall i vdekur pasi u dërgua në një spital lokal. Menjëherë pas kësaj, autori ka sulmuar një turist, një shtetas italian, emri dhe gjendja e të cilit nuk dihen ende.
Më pas vrasësi u ndalua teksa po kërcënonte me thikë një person të tretë.
Studenti italian ishte i njohur për aktet e tij të vullnetarizmit, dhe nuk kishte pasur konflikte të mëparshme.
“Lajm i trishtuar dhe tronditës. Po ju shkruaj me pikëllim të thellë për të ndarë lajmin tragjik që Davide Giri, një student i Shkollës së Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuara, u vra në një sulm të dhunshëm pranë kampusit të enjten në mbrëmje”, shkroi drejtori i Universitetit ku Davide studionte.