“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha presidenti Aleksandar Vuçiç, në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite është procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Po ashtu Vuçiç tha se politika reale nuk mund të mbështetet në mite dhe fantazi. Për të duhet bërë dallimi mes “realitetit dhe mundësisë” për të luftuar si shtet dhe si komb “për atë që themi se është më e rëndësishme për ne”. Ai tha se detyrë është që në hapësirat ku ka serbë dhe shqiptarë, të sigurohet një jetesë më e mirë për ta. “Kjo detyrë e vështirë duhet të kryhet, në mënyrë që serbët të mbijetojnë si shtet dhe si popull”, tha ai.
Kosova është shtet i pavarur qysh në vitin 2008. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.