Në Samitin e Bashkimit Europian do të diskutohet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, ndaj edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të martë pati një bisedë me kryeministrin Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kjo për të vendosur nëse do të marrin pjesë apo jo në Samit.
“Këtë mëngjes, fola me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin rreth Samitit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, kemi vendosur të shpallim nesër në mesditë vendimin tonë për të marrë, apo jo, pjesë, në këtë takim”.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka deklaruar që nuk pret të marrë dritën jeshile për këtë, as në samitin e radhës, për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.
Serbia ka nisur disa nga kapitujt e bisedimeve, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë realizuar ende konferencën e parë ndërqeveritare, që nis zyrtarisht negociatat për anëtarësim.