Pas kundërpërgjigjjes nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka reaguar Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës, i është përgjigjur deklaratës së Vuçiçit, i cili tha ditën se Prishtina po përgatit sulme në veri. Kurti tha se Vuçiç është një autokrat i cili është i shqetësuar për progresin në Kosovë dhe se kur flet për vrasje, flet për veten e tij.
“Në bazë të fitores së shkurtit të vitit të kaluar por edhe të qeverisjes sonë të mirë unë jam kryeministër i shpresës dhe progresit, ndërsa në Serbi keni një president të frikës dhe kërcënimit. Kur ata flasin për dhunë e vrasje flasin për vete, flasin për imagjinatën, mendimet e planet e tyre, nuk flasin për Republikën tonë. Për Republikën tonë flasin institucionet e shtetit tonë”, theksoi Kurti.
Po ashtu në deklaratën e tij, Kurti akuzoi sërish Serbinë duke thënë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë shprehën pakënaqësinë e vendimeve të Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, dhe bllokuan rrugët në veri.