Harta e publikuar nga Aleksandër Vuçiç, ku shfaqesh harta e Kosovës e mbuluar nga flamuri i Serbisë, ka sjell reagime të shumta. Sipas Gazeta Express, së fundmi ka reaguar dhe Bashkimi Evropian, për qëndrimin e tyre në lidhje me këtë veprim.
Mësohet se përfaqësuese të tyre kanë thënë se Bashkimi Evropian ka paralajmëruar shpesh që të dyja palët nuk duhet të bëjnë deklarata që nxisin konfliktet midis tyre.
“Ne e kemi thënë shumë herë përgjatë viteve , që Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për procesin e normalizimit të raporteve dhe punës që çon drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për Gazetën Express.
Ditën e djeshme, Aleksandër Vuçiç në Instagram ka postuar hartën e Kosovës të mbuluar me flamurin serb. Këtë postim Vuçiç e bëri për të kujtuar 17 marsin.
Çfarë simbolizon 17 marsi për serbët?
5 vite pasi forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në fund të luftës 1998-1999, në Kosovë u vranë 19 njerëz. Sipas një raporti të OSBE, 11 prej tyre ishin shqiptarë të Kosovës, ndërsa tetë serbë të Kosovës. Më shumë se 900 njerëz u plagosën, duke përfshirë 65 oficerë policie ndërkombëtare dhe 58 oficerë të Shërbimit Policor të Kosovës. Po ashtu më shumë se 800 ndërtesa u shkatërruan ose dëmtuan, duke përfshirë 29 kisha Ortodokse Serbe.