Në një postim në llogarinë e saj në Facebook ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka përmendur numrin e viktimave të shkaktuara nga tërmeti. Ajo ka falenderoi kontribuesit gjatë kësaj situate të vështirë. Xhaçka falenderoi shtetet që u angazhuan menjëherë pas kësaj fatkeqësie natyrore.
Postimi i Xhaçkës:
Orë të vështira për të gjithë ne. Tërmeti më i fortë i dekadave të fundit ka një bilanc tragjik. 21 jetë të humbura e dhjetëra të tjerë të plagosur.
Gjithë strukturat shtetërore janë në këmbë me Forcat e Armatosura në krye. Çdo zjarrfikës, efektiv i policisë dhe i FA, mjek dhe përfaqësues i pushtetit vendor, vijojnë pa pushim operacionet e kërkim-shpëtimit.
Fatmirësisht, deri tani kemi 45 persona të shpëtuar nga rrënojat dhe uroj që ky numër të rritet në orët në vazhdim. Ne ndajmë dhimbjen e atyre që kanë humbur të afërmit dhe ju lutemi për shpresë e durim atyre që ende presin me ankth.
Mirënjohje vendeve mike për ndihmën e ofruar: SHBA, Itali, Greqi, Francë, Turqi, Kroaci, Rumani, Mali i Zi e Kosovë. Në operacionet e kërkim-shpëtimit po marrin pjesë edhe ekspertët më të mirë të këtyre vendeve, ndërkohë që FA kanë ngritur çadrat në stadiumin e Durrësit dhe fushën e sportit në Thumanë, ndërsa në Tiranë janë vënë në dispozicion palestrat për të gjitha familjet në vështirësi.
Lutjet tona shkojnë për ata që ndodhen ende nën rrënoja, me shpresën e madhe se do të gjenden shëndoshë e mirë. Ju jemi pranë familjeve të tyre. Apel për çdo qytetar, banesa e të cilit është dëmtuar, të bëjë kujdes e të mos hyjë në banesa, pa u bërë më parë inspektimi nga specialistët përkatës.