Ministrija e Mbrojtjes Olta Xhaçka është takuar me homologun e saj të Kosovës, Anton Quni ku shprehu mbështetjen e pakursyer të qeverisë shqiptare në çdo aspekt.
“Sot në rajonin tonë ka paqe e stabilitet. Pavarësisht sfidave e vështirësive që kemi akoma përpara është bërë një progres i jashtëzakonshëm. Fakti që sot Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë me të drejta të plota të NATO sigurisht që është një garanci më shumë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit e paqes që kërkojnë të gjithë popujt e rajonit.
Por dua të nënvizoj këtu diçka që e kam thënë në çdo forum ndërkombëtar, diçka që Kryeministri Rama e ka përsëritur në çdo rast që ka pasur, dhe që është prej kohësh pozicioni zyrtar i Shqipërisë.
Përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin tonë, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat Euro-Atlantike. Duke filluar padyshim me anëtarësimin në NATO e duke vazhduar më pas me integrimin në Bashkimin Europian”, u shpreh znj. Xhaçka.