Në 15-vjetorin e ngjarjes së 21 Janarit, familjarët e viktimave kanë përsëritur thirrjen për zbardhjen e plotë të çështjes dhe vendosjen e drejtësisë.
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i cili humbi jetën gjatë protestës para Kryeministrisë, deklaroi se familja nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi dhe barazi përpara ligjit, një kërkesë që, sipas tij, mbetet ende e paplotësuar.
Duke folur në përkujtim të viktimave, Nika theksoi se kujtesa për “21 Janarin”, nuk duhet të zbehet dhe se përgjegjësit për atë që ndodhi nuk duhet të harrohen apo t’i shmangen drejtësisë. Ai nënvizoi se kërkesa për drejtësi është e njëjtë edhe për familjarët e tre protestuesve të tjerë që humbën jetën atë ditë.
“Nuk jemi këtu për hakmarrje, por për të kërkuar drejtësi. Është e domosdoshme që opinioni publik të njihet me të vërtetën e plotë dhe institucionet të ndërmarrin veprime konkrete”, u shpreh Mark Nika, duke shtuar se familja ka besim se drejtësia do të vendoset përmes institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare.
“Është koha për sqarim të plotë para opinioni publik dhe për veprime konkrete nga institucionet. Kam ardhur këtu dhe vij çdo vit për shpirtin e Aleksit, nipit tim, ashtu si të gjithë familjarët e tjerë. Shpresoj se ambasadorët e vendeve aleate të na dëgjojnë, ata na kanë premtuar se do të na mbështesin në kërkesat tona të pareshtura për drejtësi. Sot, ky angazhim moral dhe institucional është më i domosdoshëm se kurrë. Shoqëria shqiptare pret që drejtësia shqiptare të funksionojë realisht. Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Kërkojmë barazi përpara ligjit. Kujtesa nuk duhet të zbehet dhe përgjegjësi nuk mund të harrohet. Kemi besim tek SPAK dhe Gjykata e Strasburgut për drejtësi”, tha Mark Nika.
