Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu konfirmoi pjesëmarrjen e tij në protestën kombëtare të 7 korrikut, thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, e që pritet të mbahet para selisë së qeverisë.
Në një intervistë në “Top Talk”, ai sqaroi se prania e tij në protestë lidhet me interesat e qytetarëve dhe jo të individit.
“Besoj që organizimi i kësaj proteste, mund ta quaj dhe një sfidë që Berisha bën në aspektin e tij personal, por ajo që mua më bën të shkoj, e para është se janë demokratë ata që marrin pjesë. Së dyti, është krijuar një situatë, në të cilën, jo vetëm demokratët, por dhe socialistët, duhet të dalin dhe të protestojnë. Nuk shkoj për individ, por shkoj me zemër për qytetarët, të cilët ndodhen në situatën më kritike për shkak të çmimeve”, u shpreh Xhelal Mziu.