Gjatë bisedimeve në Sky ECC, Ervin Mata komunikon në gjuhë të huaj dhe nga biseda e zhvilluar dyshohet se ka trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani. Ai u tregon bashkëpunëtorëve të tij se i është sekuestruar sasia prej 250 kg kokainë në aeroportin e Frankfurtit.
“Rezulton se në muajin Shtator 2020, përdoruesi i SkyECC, i identifikuar si Ervin Luan Mata, bashkëbisedon në gjuhë të huaj në grup chat-in e emërtuar. Nga biseda e zhvilluar dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me përdorues të tjerë SkyECC, pjesëmarrës në grup chat, kanë trafikuar një sasi prej 250 kg lëndë narkotike kokainë nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main-Gjermani. Lidhur me këtë bisedë, evidentohen edhe biseda të datës 29.09.2020 me përdorues të tjerë shqipfolës, ku shtetasi Ervin Mata i tregon që i janë kapur dhe sekuestruar një sasi prej 250 kg, sasi e cila lidhur me problematikën e nxjerrjes nga aeroporti dhe mbërritjen në Frankfurt diskuton edhe në grup chat-in.
Më datë 29.09.2020, Ervin Mata komunikon me përdoruesin e paidentifikuar AOSHUI dhe i tregon që i janë kapur një sasi prej 250 kg në Frankfurt dhe pret që të nesërmen të dalë në gazetë.
Ata shkëmbejnë mesazhet: “…Ili un e shes me 35… Ramazanit ma ka pagu 34. Ato mund ta duan dhe ner heletik Pom!”, thuhet në një pjesë nga dosja e siguruar nga “Report Tv”.
Nga operacioni i SPAK, në pranga u vunë ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni, ndërsa në kërkim janë Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, Ervin Mata dhe 4 të tjerë.
Biznesmeni Ervin Mata, është një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018.