Në datën 1 mars Partia Demokratike do të zhvillojë procesin e Primareve për të përzgjedhur kandidatët për deputet për zgjedhjet e 11 majit.
Këshilli Kombëtar i PD miratoi sot udhëzimin për primaret i cili parashikon se Kryetari i partisë Sali Berisha dhe drejtuesit politikë nuk do ti nënshtrohen Primareve por do të jenë në pjesën e mbyllur të listës së kandidatëve për deputet.
Pjesa tjetër e listës së kandidatëve për deputet do ti nënshtrohet votimit nga anëtarësia e PD në secilin prej 12 qarqeve të vendit.
Në përfundim të procesit do të jetë Kryesia e Partisë Demokratike e cila do të përzgjedhë mes kandidatëve me më shumë vota se cilët do të garojnë për tu bërë deputet, dhe nëse do të jenë në listën e hapur apo të mbyllur.
Udhëzimi për Primaret ka marrë 10 vota kundër në mbledhjen e Këshillit, mes të cilëve edhe votën e Bujar Leskajt që është drejtues politik i Vlorës dhe Myslym Murrizit. Këta kanë kërkuar që edhe drejtuesit politikë të futen në Primare.
Në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes Berisha e Noka sqaruan pse drejtuesit politikë janë automatikisht deputetë.
Sali Berisha, kryetar i PD: Kemi kaluar një kalvar, por ia dolëm me sukses të plotë. Nga një parti që bënë gjithçka për të na asgjësuar, jemi sot një parti që do të fitojmë zgjedhjet. Na morën flamurin, logon, nuk regjistruan emrin e Kryetarit të Partisë Demokratike në fletën e votimit. Por ne arritëm të bashkoheshim. Kishim probleme në Grupin Parlamentar por ky bashkim u bë në betejë. Deputetët u bashkuan në mosbindje civile në Kuvend nga më të fuqishmet. 45 vetë ishim por e mbajtëm peshën e qëndresës dhe të rezistencës. Nuk pranova ndryshimin e emrit të Partisë kur nuk na jepnin flamurin dhe siglën tonë. Bashkimi ynë tmerroi qeverinë. Ky bashkim është shumë i rëndësishëm, është shumë i sinqertë. Unë jam i drejtë me ju.
Bashkimi ishte marrëveshje xhentëlmenësh e cila nga Sali Berisha nuk thyhet kurrë. Për këtë arsye kur caktuam drejtuesit e qarqeve sipas një tradite 25 vjeçare të PD, caktuam si Belind Kelliçin ashtu edhe Gjekmarkajn, Boçin, Bardhin etj. Besoj se kjo ishte e drejtë. Kjo përfaqësonte bashkimin tonë.
Primaret thotë statuti, por kryetarët e qarqeve jam përpjekur t’i përzgjedh persona të votuar, me eksperiencë elektorale dhe aktivitet publik. I kam caktuar të barabartë. Nuk kanë kërkuar asnjë kusht kur u bë bashkimi. Nuk mund të pranoj që ata të mos jenë Kryetarë qarku. Ju ftoj ta miratoni këtë edhe pse ka nje devijim nga Statuti.
Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD: Kemi vendosur në kryesi t’i paraqesim Këshillit Kombëtar rregulloren. Primaret nuk do të zhvillohen në nivel dege, por qarku. U shqyrtuan të gjitha opsionet, por përzgjodhëm atë në përputhje me sistemin zgjedhor. Primaret nuk do të jenë skualifikuese, apo me votë negative. Kjo votë nuk do të ekzistojë. Primaret do të jenë kualifikuese. Do të vendoset një prag për çdo qark në bazë të numrit të anëtarëve të Partisë, të votave që janë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare si edhe të zgjedhjeve të brendshme në parti. Nuk do të jetë vetëm vota e primareve përcaktuese.
Forumet do të analizojnë angazhimin e secilit kandidat, sikundër kontributin për votën e diasporës për të siguruar 300 vota të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Një anëtar i Partisë ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat. Në 1 Mars është data e zhvillimit të primareve.