Ish-ministrja dhe deputetja e mazhorancës, Milva Ekonomi ka dhënë detaje të reja për pensionistët. Ajo thotë se qeveria ka menduar një skemë të re për pensionistët brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe ato urban e rural.
Znj.Ekonomi bën të ditur se prioritet në rritjen e pensionit do të ketë pensionistët që jetojnë në vendin tonë krahas pensionistëve që janë rezident jashtë Shqipërisë me një diferencim indeksimi të përvjetshëm që bën qeveria. Nga ana tjetër, ISSH-ja ngre shqetësimin që kanë punonjësit e ish-kooperativave bujqësore dhe ish-fermave të cilët nuk po munden të gjejnë vitet e punës, për shkak të zhdukjes së regjistrave dhe dokumenteve zyrtare.
Ndërsa pensionistët në Shqipëri janë ndër kategoritë më të diskriminuara në shoqërinë tonë, sa i përket të ardhurave mujore, një skemë e re për pensionet është menduar nga qeveria. Milva Ekonomi është shprehur se kjo skemë do të jetë e qartë brenda vitit dhe do të marrë në konsideratë dy elemente kryesor. “Nuk ka ende detaje konkrete, por në parim dy janë shtyllat kryesore që po shihen. Së pari rezidentët brenda dhe jashtë vendit si dhe pensionistët urban dhe rural. E thënë ndryshe, prioritet në rritjen e pensionit do të kenë ata pensionistë që jetojnë në Shqipëri, më shumë se ata që kanë një rezidencë jashtë Shqipërie. Natyrisht edhe ata jashtë do të përfitojnë rritje pensioni, por me një diferencim në indeksim që bën qeveria vit pas viti. Këto janë planet e ministrisë së Financave”, tha Ekonomi.