Detaje të reja kanë zbuluar mënyrën se si funksiononte skema abuzuese në Bashkinë e Fierit, që çoi në nisjen e hetimeve dhe finalizimin e operacionit “Parking”, me disa masa sigurie ndaj zyrtarëve të lartë vendorë dhe tatimorë.
Sipas hetimeve të Policisë dhe Prokurorisë së Fierit, abuzimi kishte në thelb dy forma të organizuara të shpërdorimit të detyrës:
Mosfiskalizimi i parkimit nëntokësor
Zyrtarë të Bashkisë Fier, përfshirë ish-zv/kryetaren dhe ish-drejtoreshën e Taksave A. H., si dhe drejtorë të nivelit të lartë në Tatime, nuk zbatuan detyrimin ligjor për të pajisur me kasë fiskale shërbimin e parkimit nëntokësor që administrohej nga Bashkia.
Kjo shmangie sistematike bëri që të mos arkëtohej në buxhetin lokal shuma prej rreth 40 milionë lekësh, e cila duhet të ishte siguruar nga përdoruesit e këtij shërbimi. Pagesat për parkimin, megjithëse të mbledhura, nuk kalonin në rrugë zyrtare dhe nuk regjistroheshin në sistemin tatimor.
Ulje e qëllimshme e taksave për biznese të caktuara
Në një tjetër element të skemës, zyrtarë të Bashkisë Fier, nëpërmjet manipulimit të vlerësimeve fiskale dhe tarifore, ulnin në mënyrë të pajustifikuar taksat për subjekte të caktuara private. Këto lëshime të favorshme dyshohet se janë bërë kundrejt përfitimeve personale, duke u dhënë avantazh të padrejtë disa bizneseve në treg.
Në listën e personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie përfshihen:
A. H., ish-zv.kryetare e Bashkisë Fier (arrest shtëpie)
V. C., drejtor në Tatimet Rajonale (arrest shtëpie dhe pezullim)
A. C., drejtoreshë aktuale në Drejtorinë e Taksave (pezullim)
M. D., sekretar i përgjithshëm i Bashkisë (pezullim dhe ndalim dalje nga Shqipëria)
