Ertigen Alla, njëri nga të arrestuarit për sulmin e organizuar mbi bankomatin e një banke në Qytetin e Ri të Bulqizës është liruar nga burgu 10 ditë më parë, pas një amnistie. Ai njohej nga Policia lokale si një person me precedentë të shumtë kriminal. Kjo ka ndihmuar uniformat blu të zbulonin dhe kapnin shpejt dy autorët.
Bashkë me Allën bankomatin e filialit të bankës së nivelit të dytë e sulmuoi me mjete rrethanore edhe shtetasi Fatos Lezi, edhe ky i ndaluar, arrestuar e dënuar disa herë për vjedhje në qytetin verilindor.
Policia ka siguruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë si dhe ka sekuestruar maskat dhe sendet me të cilat dy bulqizakët sulmuan bankën. Hetimet vijojnë për të zbuluar bashkëpunëtorët e tjerë të mundshëm të kësaj tentativë vjedhje.