Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka shtyrë udhëtimin e planifikuar për në Kinë pas incidentit me balonën kineze që fluturoi mbi qiellin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej disa ditësh.
Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit njoftoi se sekretari Blinken do të udhëtojë për në Kinë “kur të mundësohen kushtet për një gjë të tillë”.
Pekini e ka pranuar se balona i përkiste atij, por tha se ajo kishte dalë nga kursi për shkak të erërave të forta.
“Balona është nga Kina. Ajo përdoret për kërkime, kryesisht për qëllime meteorologjike”, u tha në deklaratën e një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme kineze.
Objekti që përdoret për përgjime u vërejt mbi qytetin Billings, në Montana. Incidenti mund të nxjerrë në pah deri ku Pekini dhe Uashingtoni janë të gatshëm të shkojnë për të spiunuar njëri-tjetrin ndërsa tensionet mes superfuqive botërore janë në rritje.