Këtë të hënë u mbajt seanca e parë për vlerësim të masës së sigurisë për 3 fëmijët që vranë babanë e tyre, Pëllumb Meta. Për djalin e madh, Hysen Meta janë ngritur tre akuza: vrasje, armëmbajtje pa leje dhe asgjësim i kufomës. Ndërsa për djalin e vogël, Amarildo Meta dhe vajzën, Hygerta, është ngritur vetëm akuza e asgjësimit të kufomës.
Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e Pëllumb Metës, edhe pse ndaj saj nuk është ngritur asnjë akuzë. Blerina Meta nuk është lejuar të merrte pjesë në ceremoninë mortore të burrit të saj, pasi policia i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit dhe kunatës së tyre. Ndërsa 49-vjeçarja po hetohet në gjendje të lirë për ngjarjen, policia e Durrësit e ka shoqëruar deri në familjen e babait të saj në Laç.
Lexo edhe :
Related Posts
19-vjeçarja Hygerta Meta në dëshminë para togave të zeza ka marrë përsipër autorësinë e krimit. Ajo ka thënë se nga frika në fillim kishte menduar që t’ia linte vëllait të madh. Ajo ka folur edhe për fejesën pa dëshirë për të cilën këmbëngulte babai i saj. Ajo ka thënë se ky debat ka nisur që në muajin dhjetor dhe ka pretenduar se babai tentonte ta vriste përse ajo nuk pranonte të fejohej.
“Në fillim ishte shumë e vështirë. Nga frika mendova t’ia lija vëllait. Por ai s’ka qenë prezent kohët e fundit. Kishte 15 ditë para ngjarjes që ishte kthyer. Debati kishte nisur në dhjetor. Unë nuk isha e interesuar për fejesën. Dhe ai në fillim s’më tha gjë. Ndodhi një problem tek bombola e gazit. Se unë aty gatuaja gjithmonë. Dhe nga refuzimi që i bëra unë për fejesë, ai tentonte të më vriste, mua ose mamanë. Tek bombola e gazit, preu bombolën e gazit dhe refuzonte ta rregullonte. Pas kësaj më ka thënë në fund të janarit që të fejohesha prapë. Dhe atëherë më tha ju s’keni për të bërë hajër në këtë shtëpi. Më kërcënonte mua dhe mamin. Mamin e kërcënoi për një portokall se e këputi dhe i tha do të vras”, ka deklaruar Hygerta.
Ajo ka rrëfyer edhe episodet e dhunës që i ati ushtronte ndaj saj dhe nënës. Sipas Hygertës, ai i kërcënonte se do i vriste me tritol dhe nga frika nuk kishin bërë kallëzim në polici për dhunën e ushtruar. Dëshminë e Hygertës e ka pohuar edhe Hysen Meta, vëllai i saj i madh i cili deklaroi se autorja e vrasjes është e motra.
Hygerta Meta: Kemi pasur konflikte për shkak të dhunës. Ai vinte na godiste. I erdhi mamit për Bajram e goditi me grusht në zemër, pasi ai e thirri dhe ajo nuk e dëgjoi. E rrihte në prezencën time. Kështu ka qenë gjithmonë.
Gjyqtarja: Pse nuk bëtë kallëzim?
Hygerta Meta: S’e bëra nga frika. Duke pasur parasysh kur kërkohet ndihmë dhe përsëri ndodhi vrasje. Frikë kisha dhe nga fisi i tij. Më dërgonte dikë tjetër për të më vrarë. Ai na kishte thënë që do ju vras shumë herë. Na thoshte nëse ikni të bëni denoncimin do ju vras të gjithëve. Nëse rrini do ju vras me tritol. S’kishim ku të shkonim.