Janë zbardhur detaje të reja për ngjarjen tragjike të mbrëmjes së sotme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku një 65-vjeçar nga Klosi i Matit ndërroi jetë, pasi u hodh nga kati i katërt ku ishte shtruar.
Mësohet se policia ka marrë në pyetje disa familjarë dhe mjekë, që kanë ndjekur rastin e 65-vjeçarit, Hasan Mira.
Mësohet se mjekët, kanë deklaruar pranë grupit hetimor se i moshuari ka shfaqur gjatë ditës sjellje jo të qëndrueshme dhe të rënduar psikologjike. Pas konfirmimit me Covid-19, mjekët i kanë rekomanduar 65-vjeçarit të qëndrojë i izoluar në shtëpi, por ditën e djeshme gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Për këtë shkak ai u transportua në “Covid 2” për trajtim më të specializuar mjekësor. Nga deklarimet e mjekëve të turnit dhe atyre që kanë ndjekur rastin e 65-vjeçarit, mësohet se në momentin kur ai ka kryer aktin ekstrem, ka qenë i vetëm në dhomën ku ishte shtruar, e cila kishte vetëm një dritare.