“Një kryeinfermiere e pediatrisë në QSUT rezulton e infektuar me COVID-19. Dyshohet se virusin ajo e ka marrë gjatë një ceremonie mortore në qytetin e Burrelit.”
Ky është lajmi që disa portale përhapën mëngjesin e sotëm, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Autoritetet vendore të shëndetësisë deklarojnë se deri në këto momente në territorin e rrethit të Matit nuk ka raste me Covid 19.
Epidemiologu Zylfi Dika sqaron se: “Sa i përket lajmit të shpërndarë nëpër portale, lidhur me pacienten me profesion infermiere në QSUT e konfirmuar me Covid 19, është e vërtetë se ka qenë në një cermoni varrimi të gjyshit të saj, në fshatin Baz para tri javësh. Fatmirësisht kanë kaluar afro 3 javë dhe ne nuk kemi informacion për shqetësime të këtyre personave që mund të kenë qenë në kontakt me këtë paciente. Ne si institucion po monitorojmë situatën”, nënvizoi zyrtari i DSHP-së Mat.
Tirananews.al kontaktoi pasditen e sotme me mamanë e infermieres që rezultoi e infektuar me Covid 19. Ish infermierja e fshatit Baz, një zonjë e nderuar tha se me 5 prill të këtij viti vjehrri i saj ndërroi jetë, në moshën 95 vjeçare.
“Në ceremoninë e varrimit morën pjesë shumë pak persona. Kjo për shkak të epidemisë. Vajza ime, e cila punon infermiere në Tiranë solli maska dhe doreza për të gjithë pjesmarrësit në ceremoni, madje kemi ende gjendje në shtëpi. Zbatuam me korrektësi të gjitha rregullat”, pohoi 70 vjeçarja.
Ajo shtoi se çdo mbrëmje ka porositur me telefon vajzën të bëjë kujdes gjatë punës, për të mbrojtur veten dhe familjen nga virusi që është përhapur në të gjithë botën.
“Të lutem hiqi rrobat sapo të hysh në shtëpi. Laj duart, këpucët, këmbët, gjithçka. Bëj kujdes për fëmijët”, janë disa nga porositë e nënës bazjane për vajzën infermiere në QSUT.
E kontaktuar nga zyrtarë dhe specialistë të DSHP-së, Bashkisë
Mat dhe Prefekturës Dibër 70 vjeçarja tha se as ajo dhe asnjë i afërm nuk ka
shfaqur probleme gjatë këtyre tri javëve. Si ish specialiste me përvojë të gjatë
ajo theksoi se do të jetë bashkëpunuese me autoritetet e shëndetësisë për çdo
problem që mund të shfaqet në zonë.