Pak minuta zgjat ceremonia e betimit të kryeministrit Edi Rama në Presidencë i cili merr kështu zyrtarisht edhe detyrën si ministër i Jashtëm. Sikurse paralajmëroi tirananews.al, kreu i qeverisë mbërriti në selinë e kreut të shtetit i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
“Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës”, njoftoi zyra e shtypit pranë Presidencës.
Një ditë më parë Kuvendi miratoi me 78 votat e maxhorancës dekretin e Metës për emërimin e Ramës edhe në postin e kryediplomatit në vend të Ditmir Bushatit të larguar.