Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Osmani e dha lajmin në një konferencë për shtyp, pas takimit konsultativ që pati sot me partitë politike parlamentare. Ajo fillimisht nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
“Data 28 dhjetor është vendosur pasi është e vetmja që i mundëson KQZ-së të organizojë zgjedhjet në mënyrë të rregullt dhe brenda afateve kushtetuese. Data 11 janar përjashtohet pasi tejkalon afatin kushtetues, ndërsa data 4 është e pamundur për shkak të mosshfrytëzimit të plotë të buxhetit nga KQZ-ja,” ka thënë Osmani.
