Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Ambasadori italian, Fabricio Bucci, u bëri thirrje partive politike në Shqipëri të zhvillojnë një fushatë elektorale të bazuar në programe të qarta dhe konkrete.
Në një prononcim për median, ambasadori vlerësoi situatën politike në vend si shumë konfliktuale, duke theksuar rëndësinë e një debati të bazuar në fakte dhe programe:
“Për fat të keq, situata politike në Shqipëri mbetet shumë konfliktuale. Zgjedhjet po afrojnë, dhe unë shpresoj që fushata të fokusohet në programe konkrete, sepse qytetarët duhet të kuptojnë se çfarë synojnë partitë politike të bëjnë për përmirësimin e jetës së tyre. Zgjedhësit duhet të gjykojnë mbi bazën e programeve. Uroj që debati politik të fokusohet te këto çështje, pasi shqiptarët janë të interesuar të dinë se çfarë do të bëjë politika për ta”, u shpreh ai.
“Nuk komentojmë ide apo programe specifike. Respektojmë dinamikat politikës së brendshme. I takon politikës shqiptare të vendosë. Ajo që është e rëndësishme është se Italia do të mbetet një partner themelor i Shqipërisë. Raporti ynë është kaq special që do të ngelet në vite. Ne do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë pavarësisht nga qeveritë. Ka shumë objektiva të rëndësishme. Hyrja në BE. Kjo është e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Dhe për tema që kanë të bëjnë me jetën e shqiptarëve, të gjithë partitë duhet të punojnë së bashku sepse është interesi i të gjithë shqiptarëve”, ka vijuar ai.
Ambasadori Bucci, i cili po përgatitet të përfundojë mandatin e tij pesëvjeçar, u nderua në Gjirokastër me titullin “Qytetar Nderi”.