Në tryezën e zhvilluar sot nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për integritetin e procesit zgjedhor, ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith u shpreh se procesi është i rëndësishëm të jetë i lirë, transparent dhe i ndershëm sepse ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë.
“Le të mbajmë mend që është e rëndësishme të garantojmë shenjtërinë e zgjedhjeve që çdo qytetar të ndiejë se vota e tij ka rëndësi dhe zëri i tij dëgjohet.
Ne të tërë duhet të ngrihemi kundër përpjekjeve për të shtypur të drejtat e votës. Procesi duhet të jetë i lirë, transparent dhe i ndershëm sepse ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë.
Institucionet duhet të garantojnë të drejtat e qytetarëve”, tha King Smith në tryezën e organizuar nga Komiteti i Helsinkit.
Në këtë tryezë u trajtuan sfidat dhe rekomandime për transparencën, llogaridhënien dhe integritetin e partive politike, organet e administrimit zgjedhor, agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara me hetimin e krimeve zgjedhore; dhe mënyrat se si mund të ndërtohet një proces zgjedhor me integritet dhe konformë standarteve ndërkombëtare në të ardhmen.