Duke përsëritur herë pas here se zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se maxhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, por brenda kornizave kushtetuese.
“Ne kemi zhvilluar para 2 ditësh kryesinë e PS dhe gjithmonë diskuton me përgjegjësi të madhe dhe situatën politike në vend. Ajo që dua të them shumë qartë është që zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen. Askush nuk mund t’i heqë të drejtën popullit shqiptar për të vendosur se cili duan ata të jetë bashkiak. Dialog, por dialog që nuk shkel Kushtetuën. Nuk pranojmë në asnjë rast të shkelet mbi Kushtetutën. Ne kemi qenë të hapur për çdo formë dialogu, por ky dialog do të garantojë që nuk shkelim mbi parimet kushtetuese”, theksoi Balla.
I pyetur nëse ka shanse që partitë opozitës të regjistrohen për zgjedhjet jashtë afatit, Balla tha se respektimi i afateve ligjore është detyrim, por nuk varet nga maxhoranca.
“Respektimi i ligjit dhe afateve janë detyrime të çdo aktori politik dhe kjo nuk varet nga ne, po pikë së pari varet nga vetë drejtuesit e partive që ju përmendni. Ajo që unë dua të them është shumë e qartë, zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen.Lulzim Basha nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje sepse gjithmonë kërkon pushtet në tavolinë. Pushtet në tavolinë nuk ka në demokraci”, tha Balla më tej.
Ai foli për mediat pas takimit me deputetët gjermanë, për të cilët Balla tha se vlerësuan arritjet e Shqipërisë dhe shprehën mbështetje për çeljen e negociatave me Shqipërinë. “Që prej 13 majit fillon një proces diskutimi në Bundestagun gjerman lidhur me vendimarrjen më pas të Këshillit Evropian që ka të bëjë me vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes BE, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk vihet në dyshim mbështetja e këtij grupi parlamentar, pothuajse në të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të AFP ka një shumicë mbështetëse, inkurajuese për gjithçka ka arritu Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Shqipëria ka vetme një plan A dhe është veçse një vijim i reformave tërësore, gjithëpërfshirëse për të çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit evropian”, tha Balla.