Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të zhvillohen nën lupën e 274 vëzhguesve të OSBE.
24 prej tyre do të jenë afatgjatë ndërsa 250 vëzhgues të tjerë do të jenë të pranishëm vetëm ditën e zgjedhjeve.
Në raportin mbi nevojat për zgjedhjet e 25 prillit, OSBE/ODIHR thekson se puna e misionit do të fokusohet ne zbatimin e identifikimit biometrik, monitorimin me abuzimet e përdorimit te burimeve shtetërore ne fushate zgjedhore dhe votimin nen masat anticovid.
“Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore informuan se do të merreshin të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe pranuan vlerën e shtuar të rekomandimeve pas një aktiviteti vëzhgimi të zgjedhjeve të ODIHR.
Një numër aspektesh meritojnë vëmendje të veçantë, përfshirë punën e administratës zgjedhore, identifikimin biometrik të votuesve, fushatën dhe mbulimin e saj nga media, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve,” thuhet në raport.
Në raport shkruhet më tej se zgjedhjet e 25 prillit do të mbahen në sfondin e marrëveshjes politike të arritur në qershor të 2020 pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh mes forcave politike në vend.