KOSOVË- Subjektet politike të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të tërheqin nesër numrat e tyre për renditje në fletëvotimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Zëdhënësi i KQZ-zë, Valmir Elezi ka njoftuar se shorti do të fillojë në orën 11:00 të ditës së hënë.
“Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, ka thënë Elezi.
Elezi thotë se tërheqja e shortit do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet dhe transparencë të plotë.
“Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe trasparencë të plotë”, tha Elezi.
Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.