Në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, PD do të shkojë e përçarë. Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, thotë se javën e ardhshme do të prezantohen kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit.
“Në vitin 2020, PD u përfshi në një proces të gjerë të identifikimit të kandidaturave. Kandidatët janë gati dhe do të nisë shpallja e tyre bashki më bashki që nga java tjetër. Këta kandidatë janë zgjedhur nga anëtarësia e Partisë Demokratike, që është përfshirë në një proces në detaj të propozimeve dhe në një proces votimi, ku ka pasur dy komisione që bënë filtrimin dhe që shikonin çështjen e etikës”, tha Alibeaj.
Kurse në lidhje me primaret e Sali Berishës në PD, Alibeaj tha: “Nuk është ajo anëtarësia e PD-së. Statuti i PD-së është veç një dhe unë nuk di të ketë një të dytë. Shumica dërrmuese e deputetëve të PD-së qëndrojnë fort pas vlerave të kësaj partie”.