KQZ ka pranuar zyrtarisht regjistrimin e partisë së vetme të djathtë dhe aleate të Lulzim Bashës, LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë.
Kryetari i LDE Arian Galdini u është drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë së tij ku shprehet se:
“Sot ka nisur një proçes me rëndësi për LDE. Ne si parti e djathtë do të marrim pjesë në zgjedhje jo sepse besojmë tek zgjedhjet me Edi Ramën. Aspak. Zgjedhjet me Edi Ramën janë aq të lira dhe të ndershme sa edhe Damian Gjiknuri dhe Ymer Lala, Niçja dhe Gjushi, Qazimi dhe Gledioni, e kështu me radhë. Sidoqoftë ne si LDE jemi partia e djathtë dhe opozitare që beson tek demokracia, rezistenca dhe përballja nëpërmjet shembullzimit, institucionalizmi dhe Perëndimi. Po hyjmë në zgjedhje jo për të lënduar e as për të zëvendësuar Opozitën. Po hyjmë në zgjedhje sepse e mendojmë ndryshe nga aleatët tanë gjithçka ka ndodhur prej 16 shkurtit e këndej. Ne madje u bëjmë thirrje aleatëve tanë të Koalicionit Opozitar që të hyjmë sê bashku në zgjedhjet lokale dhe ti fitojmë ato. Le ti besojmë SHBA dhe BE sepse pa bashkëudhëtuar me ta, ne udhëtojmë në rrugën e gabuar. Përderisa SHBA dhe BE po na kërkojnë njëzëri dhe me përsëritje e ripërsëritje, pjesëmarrjen tonë në zgjedhje, ne duhet ta përqafojmë dhe ndjekim porosinë dhe kërkesën e tyre. Shqipëria nuk mund ta ndërtojë demokracinë në ishull. Demokracia ka domosdoshmërisht nevojë që ne të jemi në të njëjtën frekuencë, udhë, qëllimshmëri, frymë dhe përkatësi me SHBA dhe BE.
Çdo ishullzim i yni, prej ngaku pretendojmë se po luftojmë për ideale të mëdha është pikënisja, udhëtimi dhe destinacioni i gabuar dhe humbës. Nuk është koha për kompaktësim dhe rreshtim në ishull.
Është koha për bashkim të më të mirëve dhe të merituarve dhe bashkëudhëtim me SHBA dhe BE. Kjo është alternativa ku beson LDE. Ky është rrafshi ku vepron dhe mendon LDE. Kjo është edhe arsyeja pse LDE po hyn ambicioze në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.”