Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIK) bëri publike gjetjet paraprake për zgjedhjet në Himarë.
Sipas KRIIK edhe në këto zgjedhje, u vu re prania e personave të paautorizuar në afërsi të qendrave të votimit, që është i kundraligjshëm pasi zgjedhësit mund të ndihen të intimiduar.
“Personat e paautorizuar që qëndronin pranë qendrave të votimit ose ishin të pajisur me lista ose, kryesisht në fshatrat e vegjël, nuk e mbanin një të tillë për shkak se komuniteti është i vogël dhe njihen më me njëri-tjetrin. Kjo u mundësonte të kishin informacion të plotë mbi personat që paraqiteshin për të votuar”, thuhet në raportin e KRIIK.
Sipas KRIIK, komisionerët u kërkuan votuesve të firmosin në listë edhe pse ishin identifikuar nëpërmjet PEI-t. Kriik thotë se sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve vetëm nëse ai është në këtë listë dhe nuk ka qenë i mundur identifikimi nëpërmjet PEI-t.
“Vëzhguesit vërejtën një numër tejet të lartë zgjedhësish që ose nuk lyheshin me bojë në gisht fare ose nuk lyheshin pasi kishin votuar, në kundërshtim me procedurat e parashikuara.“
Ndër të tjera KRIIK thotë se “Mjediset e qendrave të votimit, në një numër jo të vogël rastesh nuk ishin të përshtatshme për votim dhe në gjendje tejet të amortizuar, tërësisht të pa përshtatshme për të kryer funksionin e një qendre votimi. Ndërkohë, në një numër të lartë qendrash votimi mungonin posterat që shpjegonin procedurat e votimit apo që duhet të prezantonin kandidatët.“