Maestro Zhani Ciko është një nga emrat që përfaqëson denjësisht muzikën klasike, një ndër artistët më fin në historinë e artit në Shqipëri.
Ai tregoi në News 24 jetën pas internimit në Patos deri te gjimnazi që sot mban emrin e tij.
“Po më kthen befas pas në një kohë që ka qenë e vështirë. Tre vite para se të më dërgonin në Patos, unë isha dhe udhëheqës artistik në Teatrin e Operas, ishte rasti rrallë që në moshën 24-25 vjeçare të drejtosh një institucion me tradita.
Por hakmarrja në art ekziston dhe gjithmonë në momentin që unë isha në Patos nuk shkova me ndjenjën që këtu mori fund jeta artistike. Kudo ka jetë dhe aq vite atje u mundova të krijoj një jetë artistike për qytetin”- tha maestro Ciko duke komentuar gjimnazit që mban emrin e tij në këtë qytet.
“Një ngjarje emocionuese, një ngjarje e madhe për mua, ndoshta më e madhja në kaq arritje sa kam. Kur ma propozuan në fillim nuk isha dakord, por më pas ato më dhanë një përgjigje që nuk mund ta refuzoja dhe pranova vetëm kur të gjithë ranë dakord unanimisht që po ky është emri që duhet. Një ngjarje shumë emocionuese për mua”- tha Ciko.