Tashmë, me statusin e nënës së një djali që quhet Uliks, Adelina po jeton një martesë të konsoliduar me ish-menaxherin e njohur Val Krasniqin. Fotot e Adelina Ismailit me bashkëshortin e saj dhe Uliksin në rrjetet sociale janë shumë të pakta, por sa herë poston diçka dhe sa herë flet për jetën jashtë profesionit, ajo di të tërheqë vëmendjen.
Kohët e fundit u është kthyer eventeve muzikore pas një kohe të gjatë pushimi e dedikimi të plotë familjes dhe të birit. Por duket se e shkuara e dhimbshme e artistes ka trazuar ujërat e martesës së saj të qetë. Arsyeja ishte gjyqi që u mbajt në Kosovë këto ditë për vrasjen e ish-të fejuarit, ku Adelina Ismaili ishte thirrur për të dëshmuar rreth ngjarjes së rëndë të para disa viteve, ku emri i saj u përfol gjatë.
Ajo duhet të ishte prezente për të dëshmuar në gjyqin, që po mbahet ndaj Enver Sekiraqës për vrasjen e efektivit Triumf Riza në vitin 2007, por Adelina Ismaili ka humbur gjurmët dhe Gjykata madje nuk i di as adresën e shtëpisë. Mediat e Kosovës shkruanin se Gjykata i ka dërguar kërkesë këngëtares për të marrë pjesë në gjyq, por s’kanë mundur dot të bien në kontakt me Adelinën, e cila nuk ka dhënë detaje të një adrese të re, ndërsa numrat e telefonit nuk kanë dalë të vlefshëm. Në mungesë të Adelinës, prokurori special Haki Gegaj shtroi kërkesën që deklaratat e dhëna më parë nga Adelina të rilexohen.
Pjesë e këtij procesi gjyqësor janë edhe katër dëshmitarë që do të dëgjohen në seancat e radhës, mes të cilëve dy motrat e Adelinës: Ema dhe Zanfina Ismaili. Enver Sekiraqa po gjykohet nën akuzat e Prokurorisë për nxitjen e vrasjes së policit nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, Triumf Riza (ish-i fejuari i Adelinës). Sekiraqa në vitin 2016 ishte dënuar me 27 vite burg, por rasti është rikthyer për rigjykim. Është përfolur se përkeqësimi i marrëdhënies së Sekiraqës me Triumf Rizën, kishte si burim këngëtaren, e cila në atë kohë kishte konfirmuar lidhjen e saj me ish-policin.
Adelina Ismaili u mor në mbrojtje prej Riza Rizës pasi zhvatej nga Sekiraqa, ndërsa prokurori i EULEX dyshon se gangsteri i bënte presion kësaj të fundit edhe me foto. Pikërisht, publikimi i fotove komprementuese të këngëtares thuhet të jetë edhe arsyeja pse ajo ndryshoi dëshminë në gjyq, duke mohuar të gjitha akuzat.
Megjithatë, në dënimin e Sekiraqës me 37 vite burg për nxitjen dhe vrasjen e policit Triumf Riza është edhe akuza e zhvatjes së këngëtares Ismaili në shuma deri në 9 mijë euro.