Vijojnë edhe këtë të hënë kërkimet nga Policia dhe familjarët e Leonard Thodhorin i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqin), kjo në Konispol. Ata rezultojnë të zhdukur që prej gati 19 ditësh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tyre. Policia ka dyshime se dy personat në fjalë janë ekzekutuar dhe groposur në fshatin Vrinë të Konispolit.
Po ashtu kërkimet po zhvillohen zonën e Vrinës dhe në grykëderdhjen e lumit Pavëll. Ndërkohë, një ditë më parë, kërkimet u shtrinë në 4 fshatra, Vrinë, Shëndelli, Mursi dhe në fshatin Xarrë në Sarandë, por nuk ka pasur asnjë rezultat.
Motivi kryesor mendohet të jetë shit-blerja e një toke, por nuk përjashtohet as pista për të kaluarën e tyre, pasi të dy janë persona me precedentë për çështje narkotikësh. Mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan. Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.