Ndeshja Burreli-Pogradaci, e luajtur sot pasdite në “Liri Ballabani” të qytetit Burrelit, është mbyllur në barazim, 1-1.
Nuk mjaftoi dominimi i lojës dhe rastet e shumta për vendasit që ta fitonin këtë përballje dhe të ngjiteshin më lart në renditje, pasi sulmuesit burrelas gabuan disa herë para portës mike.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e bukur, me raste më të shumta shënimi, me aksione të shpejta, sidomos për skuadrën e Patushit. Por, ajo u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0.
Pas disa sulmeve në krah matjanët arrijnë në minutën e 58 ta çbllokojnë rezultatin. Hepaj lëshon një “silurë” drejt portës së “liqenorëve” dhe ngre peshë tifozët e shumtë në stadiumin e qytetit verilindor.
Atëherë kur pritej thellimi i rezultatit janë miqtë nga Pogradeci që shfrytëzojnë një aksion afër portës matjane dhe tundin rrjetën, duke “vulosur” rezultatin 1-1.
Skuadra matjane me këtë barazim në fushën e vet ngjalli zhgënjim te tifozët e Burrelit, pasi lojtarët nuk e justifikuan kujdesin e treguar nga bashkia dhe mbështetësit.