Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në vend me zjarret, që po djegin hektarë të tërë nga veriu në jug. Me një postim në Facebook, Rama thotë se ushtria dhe forcat e emergjencave civile po vijojnë me operacionet ‘e vështira’ për shuarjen e flakëve. Po ashtu, Rama i shpreh ngushëllime edhe familjes së të ndjerit Andrea Haxhiaj, i cili humbi jetën sot si pasojë e zjarreve që përfshinë fshatin Asim Zenel të Gjirokastrës.
“Vazhdojnë papushim me mundin e sakrificat e forcave të emergjencave civile e të atyre të ushtrisë, operacionet tejet të vështira të shuarjes së zjarreve, të cilat janë përhapur si epidemi në krejt vendet e Mesdheut e jo vetëm.
Ngushëllime vëllazërore familjes së të ndjerit Andrea Haxhiaj, që sot fatkeqësisht humbi jetën në zjarrin e tërbuar që përfshiu zonën e Lunxhërisë në Gjirokastër…”, shkruan Rama.