Hermes Nikaj (Zogu i Tiranës), do të qëndrojë 30 ditë në burg derisa të zbardhen të plota përgjimet dhe të dalë roli që ai ka luajtur në rrjetin e prostitucionit që u shkatërrua pak ditë më parë.
Sipas hetimeve të kryera, Hermes Nikaj (Zogu i Tiranës), i cili dyshohet të ketë rolin e menaxherit, siguronte vajza dhe gra të ndryshme për klientë të interesuar për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotele sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 10.000 deri 20.000 lekë për 2 orë.
Ndërkohë, policia e Tiranës ka bërë publike se në kuadër të të njëjtit operacion, më datë 9 nëntor, është 43-vjeçarja me inicialet A.B, pronare e një qendre estetike në Tiranë, biznes që e kishte kthyer në rekrutim të vajzave për prostitucion. Sipas hetimeve të kryera, 43-vjeçarja fillimisht punësonte vajza si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion duke i dërguar në banesa ose hotelet sipas kërkesave të klientëve kundrejt përfitimit monetar që varionte nga 500 deri në 700 Euro nata.
Hermes Nikaj mësohet të jetë mbajtur në vëzhgim nga efektivët e policisë ku janë përdorur edhe përgjime, ndërsa ndalimi i tij është bërë me urdhër arresti nga prokuroria e Tiranës, me firmë të prokurores Anila Galanxha. Në disa prej vëzhgimeve të bëra në terren sipas prokurorisë rezulton se Nikaj përfshihej edhe vetë në marrëdhënie seksuale në grup.
Në momentin e arrestimit, “Zogu i Tiranës” i ka mohuar akuzat. Hermes Nikaj ka edhe një qendër të vetën estetike të ndodhur në rrugën e Durrësit në Tiranë, “Te Zogu”, por ende nuk dihet nga hetimet nëse edhe në qendrën e tij estetike shfrytëzonte vajza për prostitucion.
Hermes Nikaj është një personazh mjaft i njohur i ekranit dhe modelingut ndërsa ka punuar si gazetarë në disa emisione televizive mëngjesi.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka patur edhe shumë raste të tjera ku të arrestuarit kanë dërguar vajza në hotele dhe banesa të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe qytete të tjera, ku po punohet për dokumentimin e tyre. Burime nga hetuesit thanë se ky grup shfrytëzonte vajzat edhe në clube të ndryshme të Tiranës, por edhe si eskorta, vajza që shfrytëzohen nga personazhet VIP jo vetëm për marrëdhënie seksuale me lekë, por i shoqërojnë edhe në udhëtime, hotele, me vlera më larta financiare.