Mediat iraniane raportojnë se guvernatori i qytetit qendror, Qom, ka lëshuar një udhëzim i cili i detyron nëpunëset në zyrat qeveritare t’i përmbahen kodeve të rrepta islamike të veshjes, e në veçanti ta veshin një çador të zi, si dhe të mos përdorin grim.
Çadori i zi është një rrobë për mbështjellje të kokës dhe pjesës së sipërme të trupit, duke e lënë të pambuluar vetëm fytyrën.
Ky udhëzim, i zbuluar fillimisht nga uebsajti i grupit iranian për të drejtat e njeriut Iran Watch, nënkupton se Republika Islamike e ka forcuar edhe më shumë kontrollin mbi mënyrën se si vishen gratë në vend të punës.
Zëvendësguvernatori i Qomit, Abolghasem Moghimi Araghi, e nënvizoi në udhëzim nevojën që punonjëset t’i përmbahen “ligjeve të modestisë dhe hixhabit”.
Udhëzimi u publikua në një kohë kur të ndjeshmërisë së lartë dhe kundërshtimeve ndaj ligjeve të detyrueshme të hixhabit.
Protestat gjithëkombëtare me moton: “Gra, jetë, liri”, kanë bërë thirrje për shfuqizimin e kodeve të veshjes, me gratë iraniane që po rrezikojnë shumë në përpjekjet e tyre për liri dhe barazi duke qëndruar në front të demonstratave.
Hixhabi, apo shamia islamike e kokës, u bë e detyrueshme për gratë dhe vajzat mbi moshën 9-vjeçare në vitin 1981, dy vjet pas Revolucionit Islamik në Iran.
Vendimi kishte nxitur protesta të cilat ishin shtypur shpejt nga autoritetet e reja. Shumë gra i kanë shkelur rregullat ndër vite dhe i kanë sfiduar vendimet e zyrtarëve për atë se cilat rroba janë të pranueshme.
Gratë, po ashtu, kanë nisur fushata kundër ligjit diskriminues, edhe pse shteti ka bërë trysni ndaj shumë prej tyre dhe i ka detyruar të largohen nga vendi për arsyeje sigurie.
Tensionet janë rritur në Iran për shkak të ligjit të hixhabit prej se 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq në paraburgimin policor në shtator 2022.