Ambasadorja e SHBA në vendin tonë Yuri Kim ka njoftuar se javën e ardhshme vendin tonë do ta vizitojë zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Ndihmës Sekretarja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Dr. Karen Donfried.
Kim në rrjetet sociale ka publikuar axhendën e DASH the sqaron se diplomatja e larte amerikane do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe.
“Më 28 prill ajo do të përkujtojë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe do të falënderojë Shqipërinë për partneritetin tonë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për angazhimin e saj ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës përballë agresionit rus. Ajo do të nënvizojë gjithashtu mbështetjen tonë të fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, si dhe do të theksojë nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin”.
Në axhendën e saj, ndihmës Sekretarja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Dr. Karen Donfried do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor nga 25 deri më 29 prill, me ndalesa në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.