1 orë ka zgjatur protesta kombëtare e thirrur nga kreu i PD-së, dhe më pas Sali Berisha është larguar me makinë nga Bulevardi. Me largimin e tij, u shpërndanë edhe protestuesit.
Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri e cilësoi protestën si ajo e “revolucionit tonë demokratik dhe paqësor, një protestë me të cilën ne jemi të vendosur t’i shkurtojmë orët dhe ditët, muajt, kësaj qeverie antishqiptare me në krye Edi Ramën, i cili faktohet para Shqipërise dhe botës, si pushtuesi më i egër i këtij vendi”.
Për Berishën, Rama kërkon të boshatisë vendimin nga shqiptarët. “Shqipëria e etërve të tij barbarë është modeli i tij, shqiptarët në 8 vite u pakësuan me 1 milion banorë, me këto ritme Rama synon që pas 16 vitesh këtu të ketë pallate bosh, kampe refugjatësh, çerdhe trafikantësh, por jo shqiptarë të vërtetë”, ishin fjalët e tij përballë protestuesve.
Kurse kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se me anë të presioneve mafioze ka synuar që të shkatërrojë pluralizmin në vend. Ai theksoi se Rama tentoi të marrë vulën e Partisë Demokratike. “Ky njeri me probleme të mëdha mendore, karakteriale, politike po e po, sot është në panikun e presioneve nga më mafioze nga ata që kërkojnë të rrëzojnë të gjitha kolonat e pluralizmit. Por sot ai është më i mjerë se këdo tjetër”.
