Nga Kreshnik Spahiu
Një debat i ri ka filluar lidhur me dy ngjarje historike: Revolucionin Pelikan dhe Lëvizjen e Dhjetorit ’90.
Ndoshta është herët për t’i krahasuar, sepse Revolucioni Pelikan është vetëm në ditën e 9 dhe ende nuk ka asnjë rezultat politik, por duhet pranuar se, në çdo rast, do të ketë një impakt.
Gjithsesi Lëvizja e Dhjetorit pas 5 ditësh rrëzoi gjithë sistemin.
Por cilat janë dallimet mes tyre?
1. “Pelikani” filloi në Zvërnec, ndërsa Lëvizja e Dhjetorit filloi në Qytetin Studenti.
2. “Pelikani” filloi me kauzën e largimit të një investimi amerikan: “Ivanka Ik”, ndërsa Lëvizja e Dhjetorit filloi me thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
3. “Pelikani” filloi pas rrahjes së një minoritari grek, i cili, sipas pretendimeve, u zvarrit barbarisht nga policia private dhe u mbështet nga qeveria greke dhe Fredi Beleri. Lëvizja e Dhjetorit filloi nga studentët me kërkesa për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe garantimin e të drejtave politike.
4. “Pelikani”, pas 9 ditësh, ende nuk ka as platformë dhe as strukturë përfaqësimi. Lëvizja e Dhjetorit, brenda 5 ditësh, zgjodhi strukturat, negocioi kërkesat dhe shpalli partinë politike.
5. “Pelikani” proteston në kushte ideale dhe dhjetra media transmetim live, ku mijëra protestues filmojnë veten, fotografojnë familjet dhe vishen luks sikur shkojnë në dasëm. Lëvizja e Dhjetorit zhvillohej në kushte terrori, varfërie, mjerimi, izolimi, pa media, pa rrjete sociale dhe me mungesë ushqimi.
6. “Pelikani” mbështetet nga Europa kundër Amerikës dhe qeverisë Trump por edhe nga Greqia apo disa segmente arabe kundër investimeve amerikane ose izraelite. Lëvizja e Dhjetorit mbështetej nga i gjithë Perëndimi, pasi Shqipëria konsiderohej ishulli i fundit i komunizmit në Europë.
7. “Pelikani” përfshin disa grupime me interesa antagoniste brenda vetes. Aty protestojnë:
* minoritarë grekë dhe çamë;
* musliman me shami por dhe aktivist LGBT;
* socialistët e Lalit dhe demokratët e Saliut;
* sorosistë dhe trumpistë.
E gjithë kjo e pengon të strukturohet.
Lëvizja e Dhjetorit kishte një kauzë dhe disa grupe me të njëjtin interes. Studentët, qytetarët, intelektualët, të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët kishin një interes të përbashkët për t’u grupuar politikisht në një apo disa parti kundër Partisë Komuniste.
8. “Pelikani” kërkon largimin e dyshes Rama-Berisha, por nuk ka organizim për të nxjerrë një alternativë që t’i konkurrojë. Kush është dyshja që do garojne ne zgjedhje per tu marre pushtetin dy të tjerve?
Lëvizja e Dhjetorit prodhoi mijëra figura të reja politike që konkurruan kundër figurave të konsumuara të komunizmit. Ramiz Alia humbi në zgjedhje si deputet personalisht në Tiranë.
9. “Pelikani” ende nuk e ka të qartë vetveten: nëse është një lëvizje ambientaliste për të mbrojtur mjedisin, florën, faunën, zogjtë apo insektet, apo një lëvizje nacionaliste kundër investimeve të huaja, kundër emigrantëve, kundër Izraelit, kundër Amerikës, kundër shitjes së tokës të huajve etj.
Askush nuk e di se cila është ideologjia e kësaj lëvizjeje.
Lëvizja e Dhjetorit ishte e qartë dhe prodhoi disa platforma politike në mbështetje të demokracisë liberale.
10. “Pelikani” ende nuk dihet nëse synon largimin e Ramës apo të Ivankës, nëse synon largimin e projektit apo të resortit në Zvërnec, nëse do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme apo vetëm protesta në bulevard.
Lëvizja e Dhjetorit ndryshoi sistemin, kushtetutën dhe regjimin politik.
Ajo largoi qeverinë dhe hapi një kapitull të ri në histori.
Ajo e kaloi vendin nga monizmi në pluralizëm.
Me të mirat apo të këqijat e saj, rinia e “Pelikanit” duhet të marrë shembull nga studentët e Dhjetorit, sepse në të kundërt do të harrohet njësoj si protestuesit kundër armëve kimike.
A ju kujtohet ndonjë emër prej tyre?
Ndryshimi mes dy lëvizjeve nuk përcaktohet nga veshjet e bukura apo fotot në Facebook. Njësia matëse e suksesit të dy lëvizjeve politike janë rezultatet dhe ndryshimet në sistem, kushtetutë, regjim dhe në të drejtat themelore.
Revolucionet në TikTok mund të jenë progresiste, por nuk kanë domosdoshmërisht thelb politik.
Koha do të tregojë sa forcë do të kenë “Pelikanët” për të larguar nga politika jo vetëm dy dinosaurët e vjetër, Berishën dhe Ramën, por edhe sistemin që ata kanë ndërtuar.
A do të ketë forcë “Pelikani” që, pas tre muajsh, të ketë gjysmën e Parlamentit, ashtu si dhjetoristët në vitin 1991?
Nëse jo, është e vështirë të krahasohet forca e studentëve të vitit 1990 me “Pelikanët”.
Nëse ata kanë dalë për të mbetur një shoqatë dhe jo për t’u shndërruar në parti politike brenda tre muajsh, atëherë nuk ia vlen të krahasohen as me sindikatat e minatorëve që rrëzuan dy qeveri.
Gjithsesi, ata duhet të mbështeten dhe të orientohen drejt krijimit të partisë “Shqipëria e Re”.
