Pas afro 10 orësh transmetim maratonë në podcastin ”Flasim” kryeministri Edi Rama mbylli prezantimin e ekipit të PS-së. Me foton e “Zonjës Drejtësi”, Rama dha mesazhin se PS është e vetmja forcë që garanton vijimësinë e Reformës në drejtësi dhe integrimin në BE.
Po ashtu nuk ka kursyer ironinë me koalicionin “Shqipëria Madhështore” të Sali Berishës. Rama iu referua Ilva Gjuzit, kandidates së qarkut Tiranë në listat e mbyllura, duke vendosur në krahasim mbiemrat e tyre të njëjtë me disa batuta.
”Ilva, që besoj tani është e njohur. Ilva është “Gjuzi për të ardhmen”, Gjuzin për të shkuarën e kemi në kënetë. Na ka rënë në kënetë Gjuzi madhështor, Ilva është Gjuzi njerëzor, femëror dhe normal. Madhështorin e kemi në kënetë. Mjafton të shikoni Gjuzin tonë dhe Gjuzin e atyre dhe është shumë e qartë se cila duhet të jetë zgjedhja në 11 maj. Edhe Gjuzi i tyre është më i miri atje”.
Endrit Braimllari, ish-eksponent i njohur i Partisë së Lirisë në rolin e Sekretarit të Përgjithshëm gjatë drejtimit të Kryemadhit, tregoi arsyet pse u bashkua me Partinë Socialiste.
Braimllari: Ju falenderoj, për mua është shumë e thjeshtë arsyeja. Është Sofika dhe Kejsi. Ajo ka gjetur mundësinë për t’i regjeneruar. Unë kam vite që merrem me politikë dhe kam pasur mundësinë të suportoj të rinjtë. Në këto zgjedhje, PS ka gjetur një formë për të suportuar të rinjtë. Jam babai i dy vajzave, Siarës dhe Alesias. Angazhimi im është që vajzat e mia të lëvizin me atë pasaportën tjetër. Jo se nuk e duam shqiponjën.
Rama: Shqiponja do të jetë prapë (mdërhyn)…
Braimllari: Pasaporta është nder dhe një mundësi e mirë, dhe PS ka krijuar një mundësi të re në lidhje me këtë qasje.
Po ashtu e ftuar ishte edhe një nga kandidatët e komunitetit mysliman, Edlira Dyrmishi. Dyrmishi ka hapur bisedën mbi çështjen e xhamisë së Namazgjasë.
Rama: Xhaminë e Namazgjasë e bëri Partia Demokratike? Është më e thellë se kaq apo jo?
Dyrmishi: Unë kam qenë kur e ka inauguruar dhe Partia Demokratike. Të rrimë shtrëmbër të flasim drejtë. Pyetja ishte, a është politike kjo xhami? Unë them që politike ishte vonesa e hapjes dhe merita i takon Kryeministit. Nuk kisha qëllim të hedh një ‘shashkë’.
Rama: Këtu ne me politikë merremi. Po flasim për fakte, sipas meje. Namazgjaja u bë, mjet këmbimi. U dha Namazgjaja për xhami dhe u kërkua të bëhej pallat dhe supermarket bashkë me xhami. Jo një xhami në kushtet që është sot. Dhe dihet se kush do bënte pallatin dhe supermarketin dhe kush do bënte xhaminë. Xhamia ishte e bllokuar. Fati e desh që në atë kohë. Dhe u dha Namazgjaja si reagim ndaj ndërtimit të xhamisë te Pallati i Kulturës që ishte një superprojekt dhe aty u këput filmi PD-së se aty iku në opozitë. Kur kam ardhur unë, kam thënë ky projekt nuk bëhet dhe kjo do të jetë vetëm xhami. Jo e afaristëve dhe e komunitetit. Xhamia nuk mund të jetë si shtesë dhe supermarket. Këtë i kam thënë dhe Kryeministrit të Turqisë.
Mes kandidatëve të ftuar ishte edhe Iris Luarasi, e cila është vendosur në listën e mbyllur të Qarkut të Tiranës. Gjatë bisedës me Luarasin, pati një ‘debat’ të vogël dhe ‘irritues’ kur Luarasi përmendi mbiemrin e Berishës.
Luarasi: Unë në fakt vij nga një familje që është e majtë, edhe kjo ndoshta mendoj unë ka qenë gjithë pjesa e organizimit. Kam dalë në media, por jo gjithmonë pro të majtës, për hir të së vërtetës. Në fakt, im atë është pushuar në vitin 1992 nga reforma ushtarake që bëri Berisha në atë kohë.
Rama: Aman, të lutem, mos ma përmend atë emër këtu. Atë emër nuk e dua këtu.
Luarasi: Unë asaj kohe punoja dhe gjithë lekët që merrja i çoja në shtëpi. Edhe këto gjëra e shënjojnë jetën e njeriut dhe jam nënë e dy fëmijëve.